
Krasniqi: Haxhiu nuk i ka e nuk do t’i ketë votat për kryetare
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të katërmbëdhjetë për t’u konstituuar Kuvendi i Kosovës ka thënë se Albin Kurti po vazhdon të mbajë peng shtetin për hir të Albulena Haxhiut.
“Ajo çka po bën Albin Kurti e LVV-ja si parti a e parë, po vazhdojnë ta mbajnë shtetin peng për hir të Albulena Haxhiut, për të cilën po ngulin këmbë që të jetë kryetare e kuvendit, për çka e dinë të gjithë që ajo nuk e ka mbështetjen, e nuk e ka shumicën parlamentare. Duket se Albulena Haxhiu për Albin Kurtin është më e rëndësishme se 1 milion qytetarë”, tha ai.
Krasniqi, tha se Albin Kurti nuk i ka numrat për t’u bërë kryeministër edhe njëherë, andaj, sipas tij, për të mos ardhur deri aty, po i mbanë të gjithë peng.
Ai ka uruar Shqipërinë e cila sot është në proces zgjedhor që, verdikti i qytetarëve atje të përkthehet sa më shpejt me themelim të institucioneve, gjë që sipas tij, në Kosovë s’po ndodhë për shkak të arbitraritetit dhe të insistimit kundër ligjor të Kurtit.
Ndërkohë, Krasniqi i ka quajtur tallëse deklaratat e Albin Kurtit që ka thënë se në Kosovë nuk ka krizë.
“Nëse kjo nuk është krizë nuk e di çka po pret Kurti, se ndoshta nuk na godet ndonjë meteor nga qielli për të na thelluar krizën edhe me fatkeqësi natyrore. Ne kemi fatkeqësi institucionale, po e them kështu figurativisht, dhe kjo për shkak të kryeneçësisë së tij e arbitraritetit të tij për një kandidate që nuk i ka pasur e as nuk do t’i ketë votat për t’u bërë kryetare e Kuvendit”.
I pyetur për një ftesë të mundshme të presidentes rreth daljes nga kriza tha se presidentja mund të marr një rol të paktën për të organizuar një tryezë.
“I takon asaj të vendosë kur. PDK-ja e dini që në çfarëdo takimi që mund të ndërlidhet me zhbllokimin e situatës do të marr pjesë”, tha ai, raporton rtk.