Krasniqi: Fushata e VV-së “reality show”, Kurti në vend të programit po ofron anekdota
Ka kaluar një javë e fushatës zgjedhore.
Partitë politike zhvilluan shumë tubime anëkend Kosovës duke takuar qytetarët dhe simpatizantët.
Albert Krasniqi, nga Demokracia Plus e ka kritikuar ashpër fushatën e zhvilluar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Krasniqi në emisionin javor Info Magazine në Klan Kosova e cilësoi fushatën e LVV-së si një “reality show”.
Ai tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në vend të programit konkret po iu tregon anekdota qytetarëve.
“Në mungesë të programit politik po ofrohet program artistik. Nëse i shohim tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka premtim për ndryshim ose përmirësim të jetës së qytetarëve, por është në anekdota, në sllograne “E kam takuar një plak” apo çfarë i ka thënë ku secili mundohet ta marrë një pjesë nga programi, duke kënduar e recituar”, tha Krasniqi.
“Një “reality show” që po paraqitet me siguri do ta bëjnë edhe me pagesë për të hyrë qytetarët që të argëtohen”, theksoi ai.
Krasniqi tha se LVV-ja po mundohet që t’i mbulojë dështimet e katër viteve me akuza ndaj opozitës dhe me gjuhën përçarëse.