
KPK dhe ZKPSh i reagojnë Kurtit: Zbatimi i ligjit është detyrim, jo interes personal
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSh), kanë reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi.
KPK dhe ZKPSh ka thënë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave të kryeministrit.
“Me rastin e deklaratave të sotme publike të dhëna nga Kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, përkitazi me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër për paraqitjen e tij në prokurori, Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit.
“KPK dhe ZKPSh, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e KPK dhe ZKPSh
Tutje në reagim thuhet se pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e kryeministrit Kurti, KPK dhe Prokurori i Shtetit inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë.