Kosovë-Izrael, një datë problematike
Ndeshja midis Kosovës dhe Izraelit do të zhvillohet më 12 nëntor në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka konfirmuar FIFA të hënën mbrëma, ndërsa kjo tashmë është konfirmuar edhe nga UEFA, si organizatore e Eliminatoreve për “Euro 2024”-ën.
Kjo ndeshje ishte planifikuar të luhej më 15 tetor, por është shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Por problemi është se 12 nëntori nuk është datë e rezervuar nga FIFA për ndeshje të ekipeve përfaqësuese dhe Kosova rrezikon të jetë pa shumë lojtarë në atë ndeshje.
12 nëntori është ditë e diel dhe ligat evropiane pritet të zhvillohen normalisht. Rrjedhimisht shumë lojtarë të Kosovës do të kenë ndeshje me skuadrat e tyre atë fundjavë, disa prej tyre shumë të rëndësishme.
Ndonëse FIFA ka vendosur që klubet të jenë të detyruara të lëshojnë lojtarët dy ditë para ndeshjes, klubet nuk do ta bëjnë këtë me shumë dëshirë.
Ka mundësi që edhe lojtarët, disa prej tyre të paktën, mund të mos jenë dakord që të mos luajnë me klubet, për t’u grumbulluar me përfaqësuesen kur Kosova tashmë nuk ka gjasa të kualifikohet për në Evropian.
Situata nuk do të jetë aspak e thjeshtë, teksa një numër titullarësh të “Dardanëve” kanë ndeshje të rëndësishme me klubet e tyre më 11 dhe 12 nëntor.
Më 18 nëntor, Kosova luan ndaj Zvicrës në Bazel, ndërsa më 21 nëntor i mbyll Eliminatoret me ndeshjen në Prishtinë ndaj Bjellorusisë.
Kurse Izraeli e ka edhe ndeshjen e mbetur me Zvicrën, që është caktuar për 15 nëntor, por kjo datë është brenda “dritares” së ndeshjeve ndërkombëtare dhe nuk sjell ndërlikimi si ndeshja Kosovë-Izrael. Kosova ka grumbulluar 7 pikë nga 7 ndeshjet e deritashme dhe mban vendin e 4-t në grup, ndërsa Izraeli është i 3-ti me 11 pikë nga 6 ndeshje.
Në grup udhëheq Rumania me 16 pikë nga 8 ndeshje, ndërsa Zvicra ka 15 pikë nga 7 ndeshje dhe prapa Kosovës në renditje janë Bjellorusia dhe Andorra. /rtsh/