
Kosova zhvillon stërvitjen e fundit para ndeshjes me Letoninë
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave e ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali për ndeshjen e radhës ndaj Letonisë, në kuadër të Grupit 6 në Ligën C të Ligës së Kombeve.
Kjo ndeshje zhvillohet nesër nga ora 14:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Pas fitores bindëse ndaj Maqedonisë së Veriut (4:0), Dardanet janë të motivuara për të vazhduar me rezultate pozitive dhe për një paraqitje tjetër të të njëjtit nivel.
Gjatë seancës së sotme, ekipi ka punuar në përmirësimin e disa aspekteve taktike, me fokus në eliminimin e gabimeve të evidentuara në ndeshjen e kaluar.
Përzgjedhësi Sami Sermaxhaj u shpreh optimist për paraqitjen e ekipit, duke theksuar se skuadra ka bërë përgatitjet e duhura për këtë sfidë, por se tha se rezultati është i paparashikueshëm, andaj edhe do të hyjnë në lojë me seriozitetin më të madh.
Futbollistet e Kosovës po ashtu shprehën besimin e tyre për këtë përballje, duke nënvizuar se e kanë analizuar mirë kundërshtarin dhe se me mbështetjen e tifozëve dardanë besojnë të realizojnë fitoren e radhës.
Kosova renditet e para në Grupin 6, me 3 pikë dhe synon të vazhdojë ecurinë pozitive në këtë kompeticion, me qëllim të realizimit të objektivit për rikthim në Ligën B.