Kosova, “vend i sigurt”. KE publikon listën me 7 vende për të shpejtuar kthimin e emigrantëve

Kosova, “vend i sigurt”. KE publikon listën me 7 vende për të shpejtuar kthimin e emigrantëve

Komisioni Evropian ka propozon që Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia të caktohen si vende të sigurta të origjinës.

Kjo masë u lejon qeverive të BE-së që të përpunojnë më shpejt kërkesat për azil të paraqitura nga shtetasit e atyre vendeve.

Shumë shtete anëtare po përballen me një numër të madh aplikimesh të papërpunuara për azil, ndaj gjithçka që mund të bëjmë tani për të mbështetur marrjen më të shpejtë të vendimeve për azil është thelbësore,” tha Magnus Brunner, komisioneri i BE-së për emigracionin.

Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së të bien dakord me këtë propozim.

Azilkërkuesit nga këto shtatë vende, që shkojnë në vendet e Bllokut, mund të përballen me refuzimin e kërkesave të tyre dhe potencialisht me një urdhërkthim sipas rregullave të reja të BE-së.

BE-ja paraqiti një listë të ngjashme në vitin 2015, por plani nuk u miratua për shkak të debateve të ashpra nëse do të përfshihej apo jo Turqia.

Brukseli ka qenë nën presion që të frenojë migrimin e paligjshëm dhe të lehtësojë procesin e dëbimit, ndërsa kritikat sa i përket migracionit ka nxitur rritjen e të djathtës ekstreme në disa shtete.

Të udhëhequr nga shtete me qëndrim të ashpër, si Suedia, Italia, Danimarka dhe Holanda, udhëheqësit e BE-së në tetor 2024 kërkuan hartimin e një legjislacioni të ri me qëllim që të përshpejtohen dëbimet e emigrantëve dhe kërkuan nga Komisioni Evropian që të vlerësojë mënyra të reja për të luftuar migracionin e paligjshëm.

Në përgjigje të këtyre kërkesave, muajin e kaluar KE prezantoi një reformë të sistemit të kthimit për bllokun 27-vendesh, e cila i hapi rrugë vendeve anëtare për të ngritur qendra të kthimit të emigrantëve jashtë vendeve të BE-së.

Italia përshëndeti menjëherë shtrëngimin e rregullave të azilit nga Bashkimi Evropian duke e vlerësuar si një fitore për Romën, e cila kishte lobuar në bllok për më shumë kufizime ndaj migracionit. /rtsh/

Share This