Kosova U19 mposhtet nga Spanja, por mbetet në garë për Evropian

Kosova U19 mposhtet nga Spanja, por mbetet në garë për Evropian

Edhe pse bëri paraqitje mjaftë solide, Kombëtarja e Kosovës U19 ka pësuar humbje në përballjen e dytë kundër Spanjës U19.

“Dardanët” e rinj pësuan humbje me rezultat të ngushtë 2:1, sfidë që ishte mjaftë e hapur.

Spanja ishte më dominuese ashtu siç pritej, mirëpo që Kosova s’u dorëzua duke rrezikuar disa herë me kundërsulme të shpejta.

Munoz i dha epërsinë Spanjës pas një aksioni të shpejtë (34’), rezultat me të cilin edhe përfundoi kjo pjesë.

Spanja vazhdoi me të njëjtin ritëm duke dyfishuar epërsinë pastaj me Fortuny (50’).

Kosova e ngushtoi epërsinë falë eurogolit të Eliot Bujupit nga gjuajtja e lirë (77’), megjithatë nuk arriti ta gjejë sërish rrjetën për ta fituar një pikë.

Sidoqoftë, edhe pse u humbën pikët e plota, Kosova ende mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian U19, meqenëse renditet në pozitën e dytë me tre pikë, vetëm një më pak se Spanja.

Në përballjen e fundit që do të jetë vendimtare, Kosova përballet me Slloveninë derisa Austria luan me Spanjën.

Kosovës i duhet me patjetër t’i sigurojë pikët e plota ndaj Sllovenisë pas tre ditëve, derisa të shpresojmë që Austria ta ndalë Spanjën.

Share This