Kosova shënon rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit

Kosova shënon rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit

Kosova e ka shënuar rënien në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Kosova ka shënuar rënje për 24 pozita, pasi që nga vendi i 75-të ku ishte në vitin 2024 ka rënë në vendin e 99-të në botë.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Raporti gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, ediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Vetëm gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.

Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri – ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta – përshkruhet nga konfliktet e interesit.

Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta, raporton rtk.

Share This