Kosova përfiton 5 milionë euro grant nga BERZh-i

Kosova përfiton 5 milionë euro grant nga BERZh-i

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar të hënën marrëveshjen e grantit në vlerë prej 5 milionë euro, së bashku me drejtorin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Sergiy Maslichenko, dhe përfaqësuesin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Bashkim Kurti.

Ky grant është pjesë e projektit për zhvillimin e infrastrukturës së ujërave të zeza në rajonin e Mitrovicës, dhe parasheh ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit ekzistues në komunat e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përfshirë edhe zonat përreth.

Projekti do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e jetesës për rreth 123,000 banorë të kësaj zone, duke reduktuar ndjeshëm ndotjen mjedisore dhe duke kontribuar në mbrojtjen e burimeve ujore lokale nga shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara.

Deri më tani, vlera totale e financimit për këtë projekt arrin në rreth 38 milionë euro, ku granti prej 5 milionë euro është siguruar si rezultat i aplikimit të suksesshëm të Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Kjo marrëveshje është dëshmi e përkushtimit për zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit dhe garantim të shërbimeve cilësore për qytetarët.

Share This