
“Kosova peng i Kurtit”, “VV pa numra për Albulenën” – krejt çka thanë sot PDK, LDK e AAK
Veç dy minuta e 44 sekonda zgjati seanca e sotme, që ishte përpjekja e 21-të për konsituimin e Kuvendit të Kosovë, por pa rezultat, pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë nuk kaloi as kësaj radhe.
Pas seancës, deputetët nga PDK, LDK e AAK deklaruan se Kurti nuk i ka numrat, ndërsa i bën thirrje të reflektojë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova po vazhdon të mbahet peng për shkak të kryeneçësisë së deputetit Albin Kurti.
Pas dështimit të seancës, Çitaku i bëri thirrje Kurtit që të reflektojë.
Ajo tha se qytetarët kanë votuar për institucione të reja të cilat do duhej të ballafaqoheshin me sfidat e tyre.
“Kosova dhe institucionet e saj vazhdojnë të mbesin peng i kryeneçësisë së Kryeministrit në detyrë, deputetit Albin Kurti. Nga kjo konferencë këtu i bëjmë thirrje që të reflektojë. qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja të cilat do duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve tanë. I bëjmë apel në mënyrë që të ecim tutje”, tha ajo.
Depueti i LDK-së, Arben Gashim tha se Vetëvendosje po thotë se i ka numrat për Qeveri, por nuk po i ka për Albulena Haxhiun ta bëjë kryetare të Kuvendit.
“Suksesin ia mundëson partia e vet e cila po thotë që i ka numrat për qeveri, por s’i ka për Albulenën. Mendoj se është degraduese dhe e panevojshme si gjuhë e tillë”, deklaroi Gashi.
Gashi theksoi se duhet të formohen sa më shpejt institucionet ose të shkohet në zgjedhje.
Ndërsa, Daut Haradinaj, nga AAK gjendjen aktuale e quajti të papranueshme dhe të dëmshme për vendin.
“Për 21 herë radhazi, Vetëvendosje po dështon në procesin e konstituimit të institucioneve. Kjo gjendje është e papranueshme dhe shumë e dëmshme për vendin. Pas çdo seance të dështuar, po bëhet më e qartë se deputetët e VV-së janë tashmë të kapur peng nga Albin Kurti, i cili për vete i paska siguruar numrat. I bëj thirrje deputetes Albulena Haxhiu, por edhe gjithë deputetëve të VV-së, që të reflektojnë dhe t’i kërkojnë Albin Kurtit numrat e tij, që janë siguruar për Kryeministër, 61+, ashtu siç po deklarojnë, edhe t’i ofrojë të njëjtit edhe për votimin e Albulena Haxhiut si Kryetare e Kuvendit dhe kështu t’i hapet rrugë krijimit të institucioneve dhe të mos lejohet vazhdimi i bllokimit të vendit”.
“Si mund të kuptohet sigurimi i numrave për Albin Kurtin e jo edhe për Albulena Haxhiun? Flisni ndër veti, reflektoni dhe mos e bllokoni vendin tutje. Barra e përgjegjësisë është plotësisht mbi ju. Albin, mos e lë Albulenën në baltë, jepja votat tua edhe asaj. Nëse ti nuk ke besim në të, atëherë ndërroje kandidatin dhe gjeje një më të besueshëm dhe jepja votat. Në këtë do të kesh reflektim edhe nga deputetët opozitarë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Seanca do të vazhdojë javën e ardhshme, të martën më 27 maj në ora 11:00. /Epoka e re/