Kosova mposhtet prapë nga Suedia

Kosova mposhtet prapë nga Suedia

Kombëtarja e Kosovës në hendboll (vajzat) ka përfunduar aventurën në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2025, duke pësuar humbje të thellë nga Suedia në raundin e fundit kualifikues.

Në ndeshjen e dytë të zhvilluar të dielën pasdite në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, vajzat kosovare janë mposhtur me rezultat 43:24.

Suedia, që është cilësuar si skuadra më cilësore e këtij grupi, e ka dominuar takimin që nga minuta e parë.

Pjesa e parë është mbyllur me epërsinë 24:9 për mysafiret.

Megjithë përkushtimin dhe përpjekjet e Kosovës, diferenca në cilësi ka qenë e dukshme dhe Suedia, siç pritej, ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Botëror.

Në radhët e Kosovës, më efikasja ka qenë Merlinda Qorraj me 11 gola. Mirjeta Bytyqi ka realizuar tri, ndërsa Luljeta Esati, Albina Rugovaj, Arlinda Dinarica dhe Suzana Ujkiq kanë shënuar nga dy herë secila.

Me këtë ndeshje përmbyllet rrugëtimi i Kosovës në kualifikime.

Share This