Kosova mposht Belgjikën në kualifikimet e Botërorit për hendboll
Hendbollistet e Kosovës kanë triumfuar në ndeshjen e parë të fazës së parë kualifikuese për Kampionatin Botëror 2025.
Sot (e premte) në qytetin e Hasselt, Kosova mposhti Belgjikën me rezultat 32:28 në një ndeshje plotë dramë, por e cila në fund garantoi fitoren për vajzat tona.
Ekipi kosovar dominoi sidomos në pjesën e parë, e cila përfundoi me rezultat 19:12. Në pjesën e dytë, Belgjika u afrua në rezultat, por Kosova mbajti epërsinë dhe siguroi fitoren.
Të shtunën, në orën 18:00, Kosova do të përballet me Bosnjë-Hercegovinën. Një fitore do t’i sigurojë kualifikimin në play-off-in për Botëror.
Kapitenia Leonora Demaj shënoi 9 gola nga 15 tentime, ndërsa Marigona Hajdari realizoi 8 gola nga 11 tentime. Fitore Aliu shënoi gjithashtu 8 gola nga 10 tentime.