Kosova me katër boksierë në turneun e Bullgarisë
Kosova do të përfaqësohet me tre boksierë e një boksierë në turneun më të madh ndërkombëtar në kalendarin e Federatës Botërore të boksit – IBA.
Turneu “Strandja”, i 75-ti me radhë do të mbahet nga 4 deri më 11 shkurt në Sofje të Bullgarisë, shkruan “Gazeta Express”.
Kosova në këtë turne do të përfaqësohet me boksieren Donjeta Sadiku (60kg) dhe me boksierët Bashkim Bajoku (54kg), Loris Idrizi (71kg) e Taulant Jakupi (86kg).
Ekipi do të udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së selektorit, Musli Zymberi, selektori i femrave Faton Xhakli, trajnerja Marjola Sallauka dhe nga gjyqtari ndërkombëtar, Latif Demolli, i cili do ta ndajë drejtësinë.
Federata e Boksit të Kosovës njofton tutje se në listë për të marrë pjesë në këtë turne ka qenë edhe Shpëtim Bajoku (67kg), por që do të mungojë për shkak të një lëndimi.
Në këtë turne janë paraqitur për pjesëmarrje 44 shtete nga 6 kontinente, pra një mini Kampionat Botëror, me më shumë se 460 përfaqësues nga e gjithë bota.
Pra, konkurrenca do të jetë mjaft e fortë.