Kosova mban stërvitjen e parë, atmosferë e mirë para duelit me Zvicrën
Pas seancave stërvitore në palestër dhe videoanalizave të kundërshtarit, Kombëtarja e Kosovës sot pasdite ka zbritur në fushën e gjelbër në Kampin Nacional në Hajvali për të vazhduar në praktikë me përgatitjet për ndeshjen kundër Zvicrës, e cila zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Stërvitja e sotme nuk është përqëndruar vetëm në aspektin fizik dhe lojën me top, pasi përzgjedhësi Primozh Gliha dhe stafi i tij kanë punuar me lojtarët edhe në aspektin taktik, duke e përgatitur mënyrën se si të përballojnë sfidën me Zvicrën në fushë.
Ajo që karakterizon kampin e Dardanëve është atmosfera e mirë dhe motivi i lartë i tyre për dy ndeshjet e radhës. Futbollistët janë të fokusuar dhe të gatshëm për të dhënë maksimumin e tyre në këto duele të rëndësishme për kualifikimet Euro 2024.
E këtë optimizëm e kanë shprehur edhe mesfushori anësor, Bernard Berisha, i rikthyer pas një kohe të gjatë në radhët e Dardanëve, si dhe ardhja e re, Ismajl Beka.