Kosova i nis me humbje kualifikueset e EURO 2026 në futsall
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbje në ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2026”.
Në ndeshjen e zhvilluar të premten në Tbilisi, djemtë e drejtuar nga përzgjedhësi Agon Ramadani u mposhtën me rezultat 3:1 nga Gjeorgjia, skuadër kjo e cila ishte çerekfinaliste në Kampionatin Evropian të vitit 2022.
Ndeshja, që ishte e para e Grupit 10 në fazën “Main Round” të kualifikimeve, nisi mjaft mirë për Kosovën. Pas vetëm 10 minutash loje, Malush Qerimi shënoi një gol të shkëlqyer, duke i dhënë Kosovës epërsinë 1:0. Megjithatë, gjeorgjianët reaguan dhe barazuan rezultatin përmes Giorgi Ghavtadze për të shkuar në pushim 1:1.
Ndërkaq, në pjesën e dytë i njëjti futbollist falë edhe gabimit të mbrojtjes shënoi për shifrat 2:1. Krejt në momentet e fundit të ndeshjes, kur Dardanët u vërsulën me të gjitha forcat në kërkim të golit të barazimit, gjeorgjianët shënuan edhe golin e tretë përmes Archil Sebiskveradzes.
Në këtë fazë të kualifikimeve, fituesit e dhjetë grupeve avancojnë në Kampionatin evropian të futsallit, që do të zhvillohet pas dy vjetësh në Letoni dhe Lituani.
Ndeshjen e radhës Kosova do ta zhvillojë kundër Bullgarisë, më 17 dhjetor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, në orën 20:00.