Kosova i dërgon notë proteste RMV-së për incidentin me Osmanin
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka njoftuar se i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut duke i kërkuar sqarime sa më të shpejta dhe të plota për incidentin në Aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja Vjosa Osmani.
Sipas njoftimit të Ministrisë, presidentja Osmani është përballur me trajtim të papërshtatshëm dhe të kundërligjshëm nga sigurimi i Aeroportit të Shkupit.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, raporton rtk.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, sipas njoftimit, e ka takuar menjëherë mbrëmjen e djeshme pas incidentit ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë dhe po ashtu edhe sot, “duke kërkuar sqarime në lidhje me rastin”.
“Gjithashtu, Ministrja Gërvalla ka realizuar sot një takim në MPJ me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, me të cilin kanë diskutuar rreth incidentit në fjalë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve të shpejta institucionale. Në kuadër të veprimeve të ndërmarra, Ministrja Gërvalla ka pranuar sot pasdite edhe një telefonatë nga homologu i saj, Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, gjatë së cilës u shprehën shqetësimet e institucioneve të Kosovës pas incidentit të djeshëm”, thuhet në njoftim.
Ndryshe paraditen e djeshme ka ndodhur një incident në Aeroportin e Shkupit. Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, sigurimi i Aeroportit ka tentuar të ia marrë telefonin personal.