Kosova-Holanda, kështu mbyllet ndeshja
Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka arritur një barazim 33:33 ndaj Holandës, favorite e Grupit 6 për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2026.
Në një përballje të fortë të dielën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, barazimi i Kosovës është arritur në fund.
Dy golat e njëpasnjëshëm të Drenit dhe Drilon Tahirukajt në minutën e pesëdhjetë e nëntë e kanë vulosur rezultatin përfundimtar, duke ia siguruar Kosovës pikën e parë në grup.
Kapiteni Valon Dedaj ka shkëlqyer me tetë gola nga dymbëdhjetë tentime, ndërsa Drenit Tahirukaj ka shënuar shtatë herë nga nëntë gjuajtje. Egzon Gjuka ka kontribuuar me gjashtë gola nga dhjetë tentime, ndërsa Luigj Quni, Drilon Tahirukaj dhe Lulzim Shabani e kanë përfunduar ndeshjen me nga tre gola secili.
Portieri Liridon Zena gjithashtu ka pasur një paraqitje të mirë, duke arritur pesë pritje të rëndësishme që ndihmuan ekipin të qëndrojë në lojë deri në fund.
Pas kësaj ndeshjeje, Holanda udhëheq Grupin 6 me tri pikë nga dy ndeshje, Ukraina dhe Ishujt Faroe kanë nga dy pikë, ndërsa Kosova qëndron e fundit me një pikë.