
Kosova dhe Maqedonia thellojnë bashkëpunimin kundër krimit dhe korrupsionit
Kosova dhe Maqedonia e Veriut diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Zyrtarët e dy vendeve theksojnë rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe koordinimit të hetimeve për fuqizimin e sundimit të ligjit.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, pritën në vizitë zyrtare delegacionin nga Maqedonia e Veriut, të përbërë nga Prokurori Publik, Ljupco Kocevski, kreu i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi, dhe prokurorja Marija Gjorgeva.
Në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “U theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të koordinimit në hetimet e përbashkëta, me qëllim të luftimit efektiv të veprave penale që cenojnë juridiksionet e të dyja vendeve,” thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit.
Sipas komunikatës, ky takim përbën një hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në fushën penale mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe harmonizimin e veprimeve të përbashkëta në funksion të fuqizimit të sundimit të ligjit