Kosova bën paraqitje fantastike, shkel Letoninë
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar fitore ndaj Letonisë si mysafir me rezultat 5-4 në ndeshjen e parë miqësore.
Të besuarit e përzgjedhësit Agon Ramadani kishin më shumë nga loja, duke krijuar më shumë raste, por vendasit ishin më të saktë në mesin e pjesës së parë, duke shënuar dy herë radhazi me Edgars Tarakanovs.
Në dy minutat e fundit, kombëtarja jonë u hodh në aksion duke shënuar tre herë me Ylli Mazrekun, Drilon Maxharrjan dhe kapitenin Ramadan Alaj.
Kjo pjesëlojë u mbyll me rezultat 3-2 në të mirë të Kosovës.
Me të filluar pjesa e dytë, Letonia barazoi me Germans Matjusenkon për 3-3, por kjo nuk zgjati shumë pasi Drilon Maxharraj ktheu epërsinë për Kosovën në 4-3.
Gjashtë minuta pa u mbyllur takimi, kapiteni Ramadan Alaj shënoi golin e dytë personal për rezultatin 5-3.
Në pesë minutat e fundit vendasit luajtën me pesë lojtarë duke tentuar të bëjnë trysni për të afruar rezultatin, por shënuan vetëm një gol me Edgars Tarakanovs pak pa u mbyllur takimi.
Ndeshja e dytë mes dy skuadrave zhvillohet nesër (e shtunë).