Kosova barazon sërish me Shqipërinë

Kosova barazon sërish me Shqipërinë

Edhe përballja e dytë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është mbyllur në barazim.

Por, për dallim nga ndeshja e tri ditëve më parë që nuk prodhoi gola, kësaj radhe të dyja ekipet kanë shënuar nga dy gola në ballafaqimin e zhvilluar në “Kukës Arena” (2:2).

Ndeshja nisi më mirë për kombëtaren e Shqipërisë, e cila shënoi dy gola brenda dy minutave. Rezultatin e zhbllokoi Mattia Xhemaili, në minutën e 23-të, kurse epërsinë në 2:0 e shtoi Haxhi Rrena, në minutën e 25-të.

Megjithatë, djelmoshat e Ilir Nallbanit shumë shpejt u këndellën me dy golat e Enes Pllanës. Fillimisht ai shënoi në minutën e 35-të, derisa në pjesën e dytë barazoi shifrat në minutën e 63-të (2:2), që në fund doli të jetë rezultati përfundimtar.

“Sot ishte një ndeshje shumë e mirë nga Kombëtarja jonë sepse futbollistët tanë ishin në nivelin e duhur dhe angazhimin e kanë pasur maksimal. Lojtarët i kanë zbatuar në përpikëri detyrat e dhëna nga stafi, ashtu siç kemi kërkuar gjatë gjithë ndeshjes. Sikur të ishim pak më të kujdesshëm para portës do të mund edhe ta fitonim ndeshjen”, tha pas ndeshjes Ilir Nallbani.

Share This