Kosova asnjë, Serbia me pesë kontrata lobimi në Uashington

Kosova asnjë, Serbia me pesë kontrata lobimi në Uashington

Kosova, aktualisht, nuk ka asnjë lobues të kontraktuar në ShBA. Derisa Serbia vazhdon të forcojë prezencën e saj në Uashington përmes pesë kontratave të lobimit, Kosova mbetet pa një mekanizëm të tillë ndikimi.

Marrëveshjet e mëparshme të lobimit skaduan pikërisht pak para ndryshimeve në administratën amerikane me ardhjen në pushtet të Donald Trumpit, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Si rrallëherë në historinë e pasluftës, Kosova nuk ka asnjë kontratë lobimi aktive në SHBA. Që nga viti 1992 Kosova ka përdorur lobimin për të përforcuar pozicionin e vendit në Uashington. Kjo ka ndihmuar në shpalljen e pavarësisë, mbështetjen ushtarake dhe partneritetet strategike. Sot asnjë kontratë nuk figuron në regjistrin e lobuesve në ShBA. MPJD kishte dy kontrata lobimi deri vitin e kaluar, por tani ato kanë skaduar.

Për dallim nga kontratat e së kaluarës me kompani të njohura lobimi, këtë herë MPJD kishte angazhuar dy shqiptarë që shumicën e shpenzimeve i kishin deklaruar për dreka e darka punë dhe udhëtime.

Në të njëjtën kohë, institucionet e Serbisë kanë pesë kontrata aktive lobimi në SHBA, për të cilat paguajnë kompani amerikane mbi 250 mijë dollarë në muaj.

Republika Srpska i ka lidhur të gjashtë kontratat e lobimi nga Bosnjë e Hercegovina, ndërsa institucionet e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut nuk kanë asnjë lobues të kontraktuar.

Pak pasi Kosova mbeti pa asnjë kontratë lobimi në ShBA, atje u ndërrua administrata, me ardhjen në pushtet të presidentit republikan, Donald Trump.

Komunikimi i vetëm zyrtar i tij drejt Kosovës deri më tani ka qenë një letër urimi për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ajo letër pasoi disa kritika që i dërguari i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i bëri ndaj Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, kur tha se ShBA-së i duhet partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa ajo e Kurtit nuk është e tillë.

Ai gjithashtu tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk kanë qenë kurrë në pikë më ë ulët.

Share This