
Kos: Normalizimi me Serbinë, parakusht për anëtarësim në BE
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është parakusht që Kosova të mund të marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë procesin e anëtarësimit në BE.
“Ne po presim për [formimin e] qeverisë së re. Jam në kontakt me politikanët atje, dhe ata pretendojnë se janë shumë të favor të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, çka është parakusht që të mund të nisë procesi i negociatave ose të jepet statusi i kandidatit”, tha Kos, në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë.
Ajo tha se është shumë e rëndësishme që qeveria e ardhshme e Kosovës të plotësojë disa parakushte “që duhet të pëmbushen”, pa përmendur se cilat janë ato.
Procesi i anëtarësimit të një vendi në BE merr kohë, pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së.
Kosova ende është në fazat fillestare të anëtarësimit, pasi ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat. Për këtë gjë, fillimisht Komisioni Evropian duhet ta japë pëlqimin për aplikimin për anëtarësim e pastaj Këshilli Evropian duhet ta konfirmojë unanimisht statusin si vend kandidat.
“Nuk kam marrë asnjë sinjal nga shtetet anëtare ose nga presidenca daneze [e Këshillit Evropian] se kjo gjë [marrja e statusit gjatë presidencës daneze] mund të ndodhë. Por, mendoj se do të ishte shumë mirë të nisim”, tha ajo.
E duke folur për masat që BE i ka vendosur Kosovës më 2023, dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi.
Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.
“Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo.
Gjatë intervistës së dhënë për REL-in, Kos tha se ajo do ta cilësonte si një dështim nëse gjatë mandatit të
Komisionit aktual nuk do të kishte anëtarë të rinj në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ajo u shpreh optimiste, duke theksuar se nga pikëpamja teknike “mund të përfundojmë me Malin e Zi [si anëtar] deri në fund të vitit 2026” dhe “mund të përfundojmë me Shqipërinë [si anëtar] deri në fund të vitit 2027”.
E pyetur nëse Mali i Zi dhe Shqipëria do të bëhen anëtarët e 28-të dhe 29-të të BE-së, ajo u përgjigj se mund të ketë edhe vende të reja.
Duke folur për Serbinë, vendin që ajo do ta vizitojë këtë javë, Kos tha se “Serbia duhet vërtet të japë rezultate”.
“Fjalët nuk mjaftojnë. E shoh misionin tim ose vizitën time atje si një përpjekje të madhe për ta rikthyer Serbinë në rrugën evropiane”, tha Kos.
Ajo shtoi se kërkesat e protestuesve, të cilët po protestojnë prej muajsh në Serbi – pas vdekjes së 16 personave nga rrëzimi i një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad – janë të njëjta me ato të Komisionit Evropian.
“Është shteti i së drejtës, është lufta kundër korrupsionit, është prokurimi publik, është legjislacioni për mediat, është legjislacioni për zgjedhjet. Serbia ka premtuar shumë në dhjetor në të ashtuquajturin ‘non-paper’ [dokument joformal”, tha Kos, duke shtuar se tani “duhet të kontrollojmë nëse po i zbatojnë ato që kanë premtuar”.
“Dhe në fakt, më pëlqen të them që unë jam mbështetësja më e madhe e protestuesve, sepse nëse Serbia është serioze për rrugën drejt BE-së — dhe ata më thonë se janë — atëherë do të duhet të japin rezultate”, tha Kos.
Ndërkohë, zyrtarja e BE-së tha se është e vështirë të punohet me liderë si presidenti i entitetit të Republika Sërpska (RS) së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik.
Ajo tha se “është e vështirë të merresh me dikë që nuk vepron në të mirën e vendit të tij, Bosnje e Hercegovinës” dhe që shkon “kundër integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues”.
Tutje, Kos theksoi se kjo është një nga arsyet pse Bosnje e Hercegovina, edhe pse ka status kandidati, ende nuk ka hapur negociatat me BE-në.
Në lidhje me sanksionet potenciale ndaj Dodikut, ajo shtoi se “shtetet anëtare nuk janë të bashkuara” për t’i vendosur ato. /REL/