Konstituohet menaxhmenti i ri i UP-së

Konstituohet menaxhmenti i ri i UP-së

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues, rektori në ardhje Arben Hajrullahu e ka prezantuar ekipin e tij me të cilin do të punoj deri me 15 shtator 2028.

Kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, ka theksuar se me statutin e ri, prorektorët emërohen nga Rektori dhe më nuk do të hidhen në votim për t’i emëruar Këshilli Drejtues.

Sipas tij, ‘kjo më parë ishte pjesë e ‘ngërçit’ ose e pazareve që bëheshin para funksionalizimit të menaxhmentit të lartë, me statut të ri nuk do të ndodhë as për Prorektor madje as për Prodekan’.

Sahiti në Facebook ka shkruar se ekipi që është zgjedhur nga rektori Hajrullahu, është si më poshtë:

Prof. Asis. Dr. Albana Berisha Qehaja, Prorektor Për Buxhet, Financa dhe Bashkëpunim me Sektorin Publik dhe atë Privat;

Prof. Asoc. dr. Avni Hajdari, Prorektor për Kërkime Shkencore, Projekte dhe Inovacion;

Prof. Asoc. dr. Naim Jerliu, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Personelit Akademik dhe Botime;

Prof. Asis. dr. Rozafa Basha, Prorektor për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik.

Sipas tij, një profil tjetër për Akreditim, Cilësi të Mësimit dhe Çështje të Studentëve, do të bëhet e ditur ditëve në vijim, ‘që gjithsesi do të jetë profesoreshë pasi Statuti i ri obligon që të respektohet kuota gjinore’.

“Në kryesimin e Këshillit Drejtues jam i lumtur që dy menaxhmentet e fundit kanë respektuar kuotën gjinore dhe kemi 3 Profesorë dhe 3 Profesoresha në menaxhmentin e lartë”, ka shkruar ai në Facebook, duke i uruar shumë suksese menaxhmentit të ri.

Share This