
Konjufca shkon për ngushëllime te familja e Thaçi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkuar për ngushëllime në familjen Thaçi në Burojë të Skenderajt, pas vdekjes së babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Haxhi Thaçit.
Konjufca pas ngushëllimeve është nënshkruar edhe në librin e zisë.
Ai ka thënë se Haxhi Thaçi ka qenë një patriot, i cili e ka ushqyer me patriotizëm familjen e vetë dhe gjithë Drenicën.
“Të gjithë e kemi njohur si patriot të madh, e plak të urtë. E ka ushqyer me patriotizëm familjen e vetë dhe gjithë këtë pjesë të Drenicës. Mbi të gjitha, e ka frymëzuar me patriotizëm djalin e tij Hashim Thaçin që ishte president i Kosovës dhe bartës i shumë proceseve në të cilat kemi kaluar. Edhe gjatë viteve ’90-ta prej Lëvizjes Studentore, e deri në krye të UÇK-së. Bashkë me bashkëveprimtarët e tij, të cilët po e mbrojnë kauzën në Hagë. Me bacën Jakup, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, të cilët kanë qenë në krye të UÇK-së, falë të cilës erdhi liria. Kjo nuk do të ndodhte pa inspirimin e frymëzimin që e kemi prej prindërve tanë, ashtu siç Thaçi e ka pasur prej bacën Haxhi”, ka thënë Konjufca, i cili u ka dërguar edhe një telegram ngushëllimi familjes Thaçi.
“E nderuara familje Thaçi. Me pikëllim mora lajmin se u nda nga jeta Haxhi Thaçi. Në emrin tim dhe në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj! Ndonëse nuk është më në këtë jetë, Haxhi Thaçi do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të. U prehtë në paqe!”, thuhet në telegramin e kryetarit Konjufca.