“Koncerti i Fundvitit” në Tiranë, një ngjarje festive dhe magjike për të gjithë qytetarët

“Koncerti i Fundvitit” në Tiranë, një ngjarje festive dhe magjike për të gjithë qytetarët

Tirana mirëpret sot një nga ngjarjet më të pritura të vitit, “Koncertin e Fundvitit”, organizuar nga Bashkia e Tiranës, i cili sjell një atmosferë të ngrohtë dhe festive për qytetarët dhe vizitorët.

Ky aktivitet do të ofrojë një program të pasur artistik, ku këngët tradicionale dhe moderne të Krishtlindjeve do të interpretohen nga artistët më të njohur shqiptarë.

Sipas njoftimit të Bashkisë, eventi synon të bashkojë komunitetin përmes muzikës dhe artit, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të kaluar momente të paharrueshme me familjen dhe miqtë. Përveç performancave muzikore, janë planifikuar aktivitete argëtuese për fëmijët, duke e bërë këtë koncert të përshtatshëm për të gjitha moshat.

Mbrëmja do të nisë në orën 22:00′ me një DJ që do të ngrohë atmosferën. Rreth orës 22:45, këngëtari i njohur Sardi Strugaj do të hapë natën me performancën e tij, ndërsa në orën 23:10, Ardit Çuni do të sjellë këngët e tij të preferuara për publikun shqiptar dhe turistët e huaj që kanë zgjedhur Tiranën për të kaluar festat.

Në orën 23:40, Elgid Doda do të ngjitet në skenë, duke sjellë emocione të veçanta dhe entuziazëm, ndërsa momenti kulminant do të jetë ora 24:00, kur qielli i Tiranës do të ndriçohet nga fishekzjarrët spektakolarë për të shënuar ndërrimin e viteve.

Pas mesnate, në orën 00:10, Xhensila Myrtezaj do të vazhdojë festën me këngët e saj më të bukura, ndërsa grupi i njohur Three Dots do të performojë në orën 00:40, duke e mbajtur publikun të angazhuar dhe të entuziazmuar. Muzika do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit, me DJ që do të sigurojnë një atmosferë të gëzueshme për të gjithë të pranishmit. /atsh/

Share This