Konate: Të gjithë e dinë si është të luash ndaj Nottingham Forest
Mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konate, e pranon se skuadrën e tij e pret një përballje të vështirë ndaj Nottingham Forest.
Nottingham dhe Liverpool ndeshen sonte në kuadër të Premier League-s.
“Të Kuqtë” udhëtojnë drejt ‘City Ground’ si kryesues të Premier League, megjithatë përballen me Forest, skuadër kjo e cila aktualisht konsiderohet si një nga skuadrat më në formë këtë sezon të garave.
“Të gjithë e dinë si është të luash atje. Edhe sezonin e kaluar, kur luajtëm atje, fituam në minutën e fundit. Ndeshja ishte e vështirë dhe ata kishin një ekip të shkëlqyer. Mendoj se ata kanë surprizuar shumë skuadra. Ne tani shkojmë atje dhe e dimë çfarë duam të bëjmë”, ka thënë Konate.
“Duhet të punojmë shumë, sepse e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Thjesht duhet të jemi të qetë, të duruar dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje”.
“Premier League, për mua, është liga më e vështirë në botë. Kundër çdo skuadre është shumë e vështirë”.
“Kur mendoj për kohën kur isha në Bundesliga ose në kampionate të tjera, kishte disa ndeshje ku mund të relaksoheshe – por në Premier League nuk ka kohë për këtë. Duhet të punosh, të stërvitesh dhe çdo herë të jesh i përqendruar, sepse çdo gjë është shumë e vështirë”, ka pohuar Konate.