Kompany: Bayern gati për Interin pavarësisht mungesave

Kompany: Bayern gati për Interin pavarësisht mungesave

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka lënë anash çdo justifikim për mungesat e shumta në skuadër, duke theksuar se skuadra e tij është e përgatitur për përballjen ndaj Inter në çerekfinalen e parë të Champions League, që zhvillohet të martën në mbrëmje në “Allianz Arena”.

Gjiganti bavarez do të përballet me italianët pa disa nga emrat kryesorë të formacionit. Portieri Manuel Neuer, mbrojtësit Hiroki Ito, Alphonso Davies dhe Dayot Upamecano, si dhe sulmuesi Kingsley Coman, janë të gjithë të lënduar. Listës së mungesave i është shtuar edhe mesfushori Jamal Musiala, i cili ka pësuar një lëndim gjatë fitores 3-1 ndaj Augsburg të premten.

“Çfarë mund të them, kemi hyrë në një situatë të vështirë. Por jemi në Champions League dhe duhet të shikojmë përpara, jo prapa”, ka deklaruar Kompany në konferencën për shtyp të së hënës.

Trajneri belg ka theksuar se ka besim të plotë tek lojtarët që ka në dispozicion dhe nuk do të devijojë nga objektivat fillestare.

“Lojtarët që janë në dispozicion do të japin më të mirën. Ata që do të zbresin në fushë janë stërvitur gjithmonë me intensitet maksimal dhe do të japin kontributin e tyre”, ka thënë ai.

“Kam besim të plotë tek këta lojtarë. Nuk dua të ankohem dhe nuk kam ndërmend të ndryshoj qëllimet apo strategjitë. Kushdo që luan është 100% gati dhe kjo do të thotë se ka besimin tim”.

Share This