Kombëtarja nis përgatitjet anti-Çeki, Gjasula në dyshim
Kombëtarja shqiptare ka nisur sot pasdite përgatitjet për ndeshjen e 12 tetorit kundër Çekisë.
Trajneri Sylvinho ka pasur në dispozicion pothuajse të gjithë lojtarët, pas të ardhurve të ditës së sotme. Uzuni dhe Daku janë bashkuar me grupin pas stërvitjes, për shkak të impenjimeve me klubet e tyre të dielën.
Nesër vjen edhe lojtari i fundit, Klaus Gjasula, i cili ka pasur një infeksion në grykë dhe do të kryejë disa teste të tjera mjekësore në klubin e Darmshtadit në Gjermani para se të bashkohet me grupin e kuqezinjve.
Megjithatë, pjesëmarrja e Gjasulës në takimin me Çekinë është në dyshim të fortë, pasi nuk është stërvitur prej pothuajse një jave për shkak të sëmundjes. Përveç tij dhe tashmë të larguarit Ismajli, të gjithë lojtarët e tjerë gëzojnë shëndet të plotë dhe do të jenë në dispozicion të Silvinjos për ndeshjen më të rëndësishme të Shqipërisë.
Të ardhurit e sotëm janë stërvitur më vete, ndërkohë që mesfushori Kejdi Bare ka kryer vetëm vrapime rreth fushës. Grupi i lojtarëve të tjerë ka punuar me Sylvinhon dhe më pas ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli me lojtarët e Kombëtares së 19-vjeçarëve.