Kombëtarja e Shqipërisë, Daku e Muja risi në listën e Silvinjos
Kombëtarja kuqezi pritet në fillim të javës së ardhshme të nisë përgatitjet për dy sfidat vendimtare të shtatorit në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit 2024, atë kundër Republikës Çeke më 7 shtator në fushë të huaj dhe atë ndaj Polonisë në Tiranë.
Dhe teksa përfaqësuesja çeke e ka shpallur që të martën listën e 23 lojtarëve që trajneri Jarosllav Silhavi ka thirrur për ndeshjen e shtatorit, homologu i tij, Silvinjo, ende ka dilema sa i përket listës.
RTSH ka mësuar se mund të ketë të paktën katër risi në listën e brazilianit të stolit kuqezi, që do të prekin kryesisht sektorin e mbrojtjes dhe të sulmit. Kështu, në sulm, një risi pritet të jetë Mirlind Daku, i cili ka pasaportë të Kosovës, por ka marrë kohët e fundit edhe pasaportën e Shqipërisë, çka tregon se ai është në radarët e trajnerit të Kombëtares kuqezi, Silvinjo. Ky i fundit ka dëshmuar se e ka zgjeruar fushëpamjen e punës së tij, duke mbajtur në vëmendje një numër elementësh premtues shqiptarë anembanë botës dhe Daku po bën një sezon shumë të mirë në Rusi me ekipin e tij të ri, Rubinin e Kazanit.
Duke mbetur tek sulmi, shpresat, edhe pse të vakëta, ishin që për dy ndeshjet vendimtare të shtatorit të ishte edhe Armando Broja, por nuk pritet që Chelsea ta lërë të lirë futbollistin e ri, që është kthyer në stërvitje pas dëmtimit afatgjatë.
Kurse Arbnor Muja, një tjetër lojtar që ka pasaportë të Kosovës, por ka marrë kohët e fundit edhe pasaportën e Shqipërisë, mund të jetë një tjetër risi e listës së Silvinjos.
Ndërkaq, në mbrojtje, është projektuar edhe një rikthim i Arlind Ajeti me fanellën kuqezi, teksa veterani po kalon një formë të mirë tek Cluji në Rumani.
Një pikëpyetje e fundit e Silvinjos është edhe Thomas Strakosha, i cili është i dëmtuar dhe është në dyshim nëse do të jetë gati fizikisht për sfidat kuqezi.