Koci thotë se në Hagë kanë pushuar hetimet ndaj Halil Çadrakut
Avokati mbrojtës i Halil Çadrakut, Arianit Koci, thotë se pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në Hagë, kanë pushuar hetimet ndaj klientit Çadraku.
“Pas një hetimi të gjatë dhe të detajuar të zhvilluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, kam kënaqësinë të njoftoj se hetimet ndaj klientit tonë, z. Halil Çadraku, janë pushuar”, ka shkruar Koci në Facebook.
Avokati Koci, thotë se ky vendim është një zhvillim i rëndësishëm dhe i mirëpritur, jo vetëm për Çadraku dhe familjen e tij, por edhe për të gjitha proceset e tjera që po zhvillohen në Hagë.
“Pushimi i hetimeve pasqyron një vlerësim të drejtë dhe të paanshëm të fakteve dhe rrethanave të rastit. Ekipi ynë mbrojtës ka bashkëpunuar ngushtë me institucionet relevante gjatë gjithë procesit dhe ka qenë i bindur për pafajësinë e klientit tonë. Shpresojmë që ky rast të shërbejë si një shembull i rëndësisë së respektimit të të drejtave të individit dhe zbatimit të drejtësisë së paanshme në të gjitha nivelet”, shkruan udhëheqësi i ekipit mbrojtës të Halil Çadrakut, avokati Arianit Koci.
Ndryshe, dëshmitari, Halil Çadraku, dje ka përfunduar dëshminë në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.