KMDLNj: Padia për gjenocid ndaj Serbisë mbetet veç premtim elektoral i Kurtit

KMDLNj: Padia për gjenocid ndaj Serbisë mbetet veç premtim elektoral i Kurtit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka vlerësuar veçse si premtim elektoral zotimin e kahershëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shtruar padi për gjenocid ndaj Serbisë.

“LV dhe Albin Kurti patën premtuar se gjatë mandatit që e fituan me shumicë absolute do ta padisin Serbinë për gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit 1998 – 1999. Për këtë është rithemeluar e jo themeluar Instituti për Krime Lufte dhe është miratuar Strategjia për Drejtësi Tranzicionale”.

“Kurti tha se Qeveria e Kosovës është duke bërë punë të madhe në përgatitjen e padisë për gjenocid, por shkaku i natyrës së çështjes, përmbajtja është konfidenciale sikur që disa injorantë korruptivë brenda FSK-së u përpoqën që marrëveshjen për furnizim me fasule për FSK-në ta trajtojnë si çështje konfidenciale apo si material i klasifikuar. Arsyetimi i kryeministrit Kurti se njëra ndër arsyet e konfidencialitetit qenka se Serbia ka qëndrim armiqësor, sa është e paqëndrueshme aq është edhe qesharake për faktin se padia e tillë nuk bëhet ndaj shtetit miqësor. E vërteta është se me statusin ndërkombëtar që e ka Kosova, nuk ka të drejtë të bëjë padi të tillë sepse duke mos qenë anëtare e Kombeve të Bashkuara, e ka të pamundur qasjen në gjykatat që trajtojnë padi të tilla. Mundësia që këtë ta bëjë përmes një shteti apo vendi tjetër thuaja është e pamundur shkaku se askush nuk e merr një përgjegjësi të tillë, madje as Shqipëria”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Ky këshill ka vlerësuar se Instituti për Krime Lufte nuk ka kapacitet profesional të merret me padinë për gjenocid.

“Premtimi për padi për gjenocid kundër Serbisë ka qenë dhe mbetet premtim elektoral që nuk ka gjasa teorike të realizohet gjatë këtij mandati e as në mandatin e radhës pavarësisht se kush do të jetë në krye të vendit. Instituti për Krime Lufte nuk ka kapacitet profesional të merret me këtë çështje dhe as materiale të mjaftueshme. Realisht, që nga themelimi nuk ka asnjë aktivitet hulumtues përveç se mundohet të përfitojë nga puna e të tjerëve, pa zgjedhur mjete për të ardhur te materialet. KMDLNj-ja ka fakte të mjaftueshme për këtë”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Share This