
KMDLNj kundër shtrenjtimit të rrymës, fton qytetarët të mobilizohen
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar në lidhje me kërkesën për shtrenjtimin e energjisë elektrike, të bërë nga KOSTT-i, KEDS-i dhe KESCO në drejtim të ZRrE-së.
Sipas KMDLNj-së, qeveria në detyrë nuk ka asnjë reagim apo informatë në lidhe me ketë, kurse ZRrE-ja ka pohuar se ka pranuar një kërkesë të tillë, mirëpo sipas tyre, vendimi do të merret pas një debati me qytetarët.
Kjo, sipas KMDLNj-së është mashtrim ordiner dhe përpjekje për ta zhvendosur vëmendjen, ku thanë se para zgjedhjeve të 9 shkurtit, vetë ZRrE ka pohuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
“Ende pa u bërë publike rezultatet e këtyre zgjedhjeve , operatorët e energjisë elektrike po kërkojnë një rritje marramendëse dhe jonormale të çmimit të energjisë elektrike në ndërkohë që pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës po përpiqet të mbijetojë kurse shumë biznese, ose kanë falinentuar ose janë duke falimentuar. Rritje e çmimit të energjisë elektrike do të prodhojë efekte zinxhirore duke rritur çmimet e artikujve te domosdoshëm si dhe të gjitha shërbimeve”.
“Qytetarët e Kosovës nuk duhet t’ i besojnë ZRrE e as qeverisë në detyrë sepse në mbrojtje të interesave të operatorëve, kanë dështuar të mbrojnë interesat e qytetarëve ndërkaq ZRrE për më tepër se 15 vite ka vjedhur konsumatorët shqiptarë dhe të komuniteteve joserbe për të paguar rrymën për serbët që as sot e kësaj dite nuk kanë njehësorë dhe nuk paguajnë rrymë aq sa shpenzojnë. Qytetarët e plaçkitur nga ZRrE asnjëherë nuk janë kompensuar për mjetet e vjedhura nga ZRrE”.
“Qytetarët duhet të kundërshtojnë me të gjitha mjetet e lejuara shtrenjtimin kriminal të energjisë elektrike, prej protestave të vazhdueshme e deri te refuzimi i pagesës së faturave me shtrenhtimet e paralajmëruara. Nga të ardhurat e përgjithshme pjesa dërrmuese e familjeve detyrohen të ndajnë prej 13 deri në 16 përqind të ardhurave për shlyerjen e faturave për rrymën. Ndërkohë, në vendet e zhvilluara kjo përqindje nuk e kalon 3 deri 6 përqind”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.
Më te tej, KMDLNj tha se refuzimi i qytetarëve nuk duhet të përdoret për qëllime politike nga askush, siç sipas tyre, ka ndodhur më parë duke i thënë krejt tjetër karakter.
KMDLN-ja i ka ftuar qytetarët që të mobilizohen kundër rritjet së paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike, sikur që sipas tyre, e bëjnë në të gjitha vendet.
“Refuzoni politikanët, mbroni të drejtat ekonomike dhe sociale. Kundërshtoni artogancën dhe mashtrimin e ZRrE së kriminalizuar dhe mos bëni kompromis me asnjë qeveri, pavarësisht nga kush udhëheqet në dëmin tuaj. Kushdo që udhëheq me qeverinë duhet të detyrohet ta bëjë indeksimin e çmimeve. Askush nuk ua mbronë të drejtat që ju takojnë nëse nuk i mbroni vet. Qytetarët po detyrohen të marrin kredi konsumuese nga bankat dhe institucionet mikrofinanciare dhe jobankare ne norma interesi mujore mbi 30 përqind”, thuhet në reagim.