Klopp: Atalanta? Kundërshtare e pakëndshme, e respektoj shumë
Nuk ishte një short me fat për Atalantën, që do të ketë përballë Liverpoolin në çerekfinale të Europa League-s.
Skuadra angleze mbetet, të paktën në letër, favorite për ta fituar trofeun.
Trajneri i të kuqve, Jurgen Klopp, duke folur në konferencë për shtypin këtë të premte, s’mund ta shmangte një opinion të tijin për shortin:
“Sigurisht që do të jetë një ndeshje e vështirë, ne kemi luajtur kundër zikaltërve. Nuk është se i kam parë 500 herë që atëherë, por Atalanta ka të njëjtin trajner, jam shumë i sigurt se ai ka ende një strukturë të ngjashme. Që do të thotë se do të jetë një kundërshtare e pakëndshme për ne, e organizuar shumë mirë.
Është një çerekfinale, nuk prisja ndonjë kundërshtar të lehtë, sidomos duke pasur parasysh të gjitha realitetet e përfshira. Mezi pres të luaj kundër Atalantës, një ekip që e respektoj shumë për atë që ka bërë vitet e fundit. Ata kanë pasur performancë konstante”.