
Kica-Xhelili thotë se janë tri grupe që po e sulmojnë LDK-në, ja analiza e saj
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, thotë se Lidhjen Demokratike të Kosovës po e sulmojnë tri grupe.
Teksa ajo shpjegon se kush janë këto tri grupe, Kica-Xhelili shprehet se “atë që e bëjnë këto tre grupe s’e quaj dot “shantazh”, sepse për të shantazhuar të duhet material. E kjo e fundit i mungon – ndaj dhe viraliteti i mllefit”.
“Këto tre grupe e kanë NJË të madhe të përbashkët: ELEFANTIN NË DHOMË, apo ndryshe thënë, nuk i konvenon një LDK e pavarur. Një LDK që nuk nënshtrohet në retorika boshe e zhurmë shurdhuese të urisë së dikujt për pushtet të pakuptimtë”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj në Facebook:
ELEFANTI NË DHOMË
Sot, LDK po e sulmojnë tre grupe:
Grupi i parë, është grupi ZdraVVo. Grupi që pas kapelave të Nagip Krasniqit fsheh kokën e tij, por jo edhe mendimet e Dejona Mihalit (tjerët nuk kanë mendim, vetëm amplifikojnë atë që e mendon ajo). Këtyre sot nuk i konvenon LDK e betonuar kundër tyre. Prandaj, këta që kanë perfeksionuar për vete skemat e mafisë energjetike nëpër grupe të Whatsappit, e kanë hak partinë që ua shpërfaqi gjithë skemat korruptive.
Grupi i dytë, është grupi PDK f.m. stereo. Grupi që me eksponentët e saj “analitik”, si një radio e stërvjetëruar, të shpërndarë nëpër emisione trumpetojnë se paskan mbështetur LDK-në, por se LDK qenka sot “e paguximshme dhe bllokuese”. Këta e kanë mbështetur rrejshëm një LDK me qëllimin që të bëhet levë e PDK-së, duke menduar që kështu e legjitimojnë presionin e tyre të mëvonshëm mbi LDK-në. Ju thash pra: të stërvjetëruar.
Grupi i tretë është më vështirë i identifikueshëm. Është zhurma e sulmeve që refuzon reformën në LDK. Me reformë nuk e mendoj ndryshimin gjeneracional, asnjëherë, por ndryshimin e mendësisë. Ndoshta nuk i konvenon kryetari; ndoshta nuk i konvenon LDK e qëndrimeve parimore, nuk e di.. por në një formë a tjetrën, bashkëshërbejnë në misionin e dy grupeve paraprake.
Sa i përket komunikimeve private në kryesi: Hiperbolizimi i mendimeve personale, dikujt po i shërben. Por jo edhe gjatë. Ekzaltimi i tyre përfundon në pastërtinë e konkluzionit në kryesi: Kush ka dëshmi për orientim jolegjitim të votës përbrenda – urdhëroni shkoni në prokurori. Përndryshe, ne nuk mund të lëshohemi në pakënaqësitë e rezultateve individuale të “thash më the”-ve. Ato vota janë votë e LDK-së. Se nëse dikush i ka orientuar brenda për brenda kundërligjshëm – adresën e trajtimit e kanë. Ne nuk jemi as prokurori, as gjykatë.
Këto tre grupe e kanë NJË të madhe të përbashkët: ELEFANTIN NË DHOMË, apo ndryshe thënë, nuk i konvenon një LDK e pavarur. Një LDK që nuk nënshtrohet në retorika boshe e zhurmë shurdhuese të urisë së dikujt për pushtet të pakuptimtë.
Atë që e bëjnë këto tre grupe s’e quaj dot “shantazh”, sepse për të shantazhuar të duhet material. E kjo e fundit i mungon – ndaj dhe viraliteti i mllefit.
Kësaj viroze të tyre i uroj shërim të shpejtë. Por ilaçin te ne s’do e gjejnë.
Doarsa