Khamenei përjashton bisedimet bërthamore me SHBA nën presidencën Trump

Khamenei përjashton bisedimet bërthamore me SHBA nën presidencën Trump

Udhëheqësi suprem i Iranit ka kundërshtuar kategorikisht negociatat me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Askush nuk duhet të negociojë me një qeveri si kjo”, tha Ayatollah Ali Khamenei të premten, sipas agjencisë së lajmeve IRNA.

“Negocimi me Amerikën nuk do të zgjidhë asnjë problem. Provë? Përvojë!” shtoi Khamenei.

Udhëheqësi suprem akuzoi Shtetet e Bashkuara për refuzim të detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 të arritur në Vjenë.

“Amerikanët nuk e respektuan atë marrëveshje. Po i njëjti person që është tani në detyrë e prishi marrëveshjen”, theksoi ai.

Irani, i pasur me naftë, është në mes të një krize të thellë ekonomike.

Fitorja e Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit ka nxitur debatin në Teheran për hyrjen në negociata për të hequr sanksionet perëndimore ndaj vendit.

Trump ka lënë të kuptohet për bisedime, duke sugjeruar në platformën e tij “Truth Social” të martën se ai favorizon një “marrëveshje të verifikuar të paqes bërthamore” me Iranin, ndërsa këmbëngul se vendi “nuk mund të ketë një armë bërthamore”.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për t’u përfshirë në negociata, por vendimi përfundimtar i takon Khameneit. /atsh/

Share This