KH Kastrioti mposht Slobodan në ndeshjen dramatike e të zjarrtë
Klubi i hendbollit Kastrioti e ka fituar ndeshjen e parë në skenën evropiane përballë Slobodës së Tuzlës.
Kastrioti të shtunën mbrëma fitoi para një numri të madh shikuesish, që krijuan atmosferë të zjarrtë në ndeshjen që u zhvillua në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.
Ferizajasit fituan me një gol dallim, 30:29.
Ndeshja i ka takuar raundit të parë të Kupës Evropiane, ndërsa ballafaqimi kthyes do të zhvillohet në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës pas një jave.
Fitorja të shtunën mbrëma u arrit në fund.
Ferizajasit ishin të përkushtuar për fitore, ndonëse fillimi nuk ishte i duhuri. Mysafirët fillimisht krijuan epërsi me tetë gola dallim, 11:3.
Pjesa e parë u mbyll me dy gola epërsi për Slobodën, 16:14.
Kastrioti, edhe me përkrahjen e madhe nga tribunat, arriti që të kthehej në lojë dhe fillimisht e barazoi rezultatin në 25:25 në minutën e 52-të.
Ishte barazimi i parë në ndeshje.
Tre minuta më vonë, ferizajasit kaluan në epërsi 27:26.
Deri në fund arritën që të shkëputeshin edhe deri në tri gola, por nuk e mbajtën epërsinë.
Hendbollistët e ekipit boshnjak shënuan edhe dy gola deri në fund, për ta vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes, 30:29.
Deniz Terziqi ishte më i dalluari te vendësit me 10 gola, ndërsa me tetë gola kontribuoi Lulzim Shabani.
Katër gola shënuan Rron Ramadani dhe Alessander Santos.