Këto janë marrëveshjet që u nënshkruan sot në mes të Kosovës dhe Kroacisë

Këto janë marrëveshjet që u nënshkruan sot në mes të Kosovës dhe Kroacisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kroaci, ku është pritur nga homologu kroat, Andrej Plenkoviq.

Fillimisht, në një takim të përbashkët dhe pastaj me delegacionet përkatëse, kryeministri Kurti dhe kryeministri Plenkoviq, kanë biseduar rreth marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet shteteve dhe popujve të dy vendeve.

Ata kanë diskutuar edhe për marrëveshjet që janë nënshkruar sot (e premte) dhe për marrëveshje të reja të mundshme që do ta zgjeronin bashkëpunimin në fushën e sistemit të drejtësisë, kulturës dhe arsimit, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Siç ka njoftuar qeveria, në Kroaci është nënshkruar zotimi për themelimin e Qendrës për Studime Albanologjike “Milan Šufflay” në Universitetin e Zarës.

Kjo qendër do të shërbejë si një platformë hulumtuese për promovimin e gjuhës, historisë, arkeologjisë dhe kulturës shqiptare, duke i kushtuar një vend të veçantë trashëgimisë së veprës së historianit dhe albanologut të shquar Milan Šufflay.

Temë qendrore e bisedë ishin gjithashtu bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet tregtare, me ç’rast Kurti dhe homologu i tij kroat kanë diskutuar për mundësitë dhe fushat me potencial për investime të huaja.

Kryeministri Kurti e  ka njoftuar homologun e tij për ofertën e Kosovës për investitorë të huaj, krahas zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, përparimit demokratik, stabilitetit institucional dhe përmirësimit në sundimin e ligjit që ka shënuar vendi në vitet e fundit.

Në fund të takimit janë nënshkruar marrëveshjet për:

-Sigurimet shoqërore dhe Protokollin zbatues;

-Njohjen dhe shkëmbimin e patentave të shoferëve;

-Bashkëpunimin në mbrojtjen kundër fatkeqësive natyrore, teknike dhe teknologjike;

-Memorandumin e Mirëkuptimit për bashkëpunim mes agjencive tona të forenzikës;

-Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Akademisë Policore të Kroacisë dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike për forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

“Kosova dhe Kroacia ndajnë një miqësi të sinqertë, partneritet të fortë dhe aleancë të shëndetshme, që bazohet në vlera të përbashkëta demokratike, përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe orientim të qartë euro-atlantik. Kroacia, me shembullin e saj të guximshëm, me popullin e saj që luftoi dhe derdhi gjak për çlirim, është frymëzim për të gjitha kombet, të cilët aspirojnë liri, pavarësi, demokraci, integrim dhe zhvillim ekonomik e mirëqenie për qytetarë. Me këtë rast, edhe ne jemi krenarë me shqiptarët që kanë marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kroacisë, 2 832 gjithsej, me ç‘rast 87 janë vrarë dhe pesë janë ende të zhdukur. Janë dy gjeneralë nga Kosova, të cilët morën pjesë në luftën çlirimtare, Rrahim Ademi dhe Agim Çeku, ndërkaq, Tomë Berisha në shtator të vitit 1991, në Gospiq, e pati formuar Brigadën e Luftëtarëve Shqiptarë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Nevxhet Haziri e Fehmi Lladrovci. Pra, ne kemi qenë bashkë shumë më herët dhe në rrethana shumë më të vështira se sa këto që i kemi e i gëzojmë në këtë shekull. Për ne, Kroacia është një partner kyç rajonal dhe referencë për zhvillim. Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të popullit kroat, edhe para luftës, gjatë luftës e pas saj, por gjithashtu edhe në etapat rreth pavarësimit të Kosovës e konsolidimit tonë ndërkombëtar”, citohet të këtë thënë Kurti.

Share This