“Kështu flisnin edhe kur isha te Barcelona”, Guardiola: Pretendoj perfeksionin çdo 95-minutësh
Pas barazimit me Chelsean, Manchester City do të synojë të rikthehet në rrugën e fitoreve teksa pret në Etihad Stadium, Brentford.
Trajneri i “The Citizens”, Pep Guardiola në konferencën për shtyp theksoi se njerëzit kanë shumë pritshmëri nga skuadra e tij dhe se kjo vjen për shkak se City ka fituar shumë trofe në vitet e fundit.
Spanjolli shtoi se i kërkon skuadrës së tij të jetë në perfeksion për 95 minuta edhe pse e di mirë se diçka e tillë është e pamundur.
“Ndaj Brentford skuadra do të ketë të njëjtin presion siç ka pasur edhe në ndeshjet e tjera. Nga 15 sfida e fundit kemi fituar 13 dhe kemi barazuar dy. Në përgjithësi kemi bërë shumë mirë, ndaj Chelseat nuk ishim në më të mirën por e di mirë sa e vështirë është të jesh në maksimum për të gjithë kohën. Unë jam i pari që i kërkoj skuadrës perfeksionin për 95 minuta, por diçka e tillë është thuajse e pamundur.
Pse të gjithë presin kaq shumë nga City? Sepse ne jemi e vetmja skuadër që kemi fituar aq shumë trofe në vitet e fundit. Duhet të bashkëjetojmë me këto pritshmëri, njerëzit mendojnë se është e lehtë, por jo. Kështu më ndodhte edhe kur isha te Barcelona, pritshmëritë ishin maksimale, por për mua është një nder. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë përpara në këtë rrugë”, u shpreh Guardiola.