Kërkohet që partitë të bëjnë kompromise rreth koalicioneve

Kërkohet që partitë të bëjnë kompromise rreth koalicioneve

Me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ, nuk përfundon procesi zgjedhor. Deri te formimi i institucioneve janë një sërë procedurash që duhet të ndiqen.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, për 48 orë partitë politike kanë kohë të parashtrojnë ankesat e tyre.

Ndërsa, trajtimi i këtyre ankesave mund të zgjasë deri në 12 ditë.

Sipas rrjetit të organizatave “Demokracia në Veprim”, 6 ditë janë të parapara për trajtimin e ankesave nga PZAP e 6 të tjera nga Gjykata Supreme.

Vendimet e këtyre dy institucioneve pastaj mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve.

“Këto vonesa nuk mund t’u atribuohen vetëm ndryshimeve, por menaxhimit joadekuat të procesit të numërimit nëpër QKN dhe QNR – që u shoqërua me zvarritje të panevojshme”, tha Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim”.

Artan Muhaxhiri, njohës i politikës tha se esenca është se nuk mund vonohet më shumë se 60 ditë ky proces i themelimit të institucioneve.

“Do të jetë proces shumë i vështirë, sepse me çështjet e ankesave e kundërshtive që janë parë edhe gjatë numërimit të votave është e pritshme të ketë probleme të ndryshme edhe gjatë kësaj periudhe”, tha ai.

Njohësi, Jeton Halimi, tha se sovrani ia ka dhënë votën secilës prej partive dhe nuk çka të bëjnë orvatje, kalkulime politike, sepse, sipas tij, veç e dëmtojnë kredibilitetin e shtetit.

Njohësit e proceseve politike kanë kërkuar që partitë të bëjnë kompromise rreth koalicioneve, në mënyrë që Qeveria e re të jetë e fortë përballë proceseve që e presin vendin.

“Edhe rezultati e imponon këtë e edhe sfidat që e presin Kosovën veçanërisht në dialog dhe në përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë”, Tha Artan Muhaxhiri.

Ndërkaq njohësi i politikës, Jeton Halimi tha se është në çështje shteti i Kosovës, popullata e Kosovës dhe jo interesi i partisë para popullit, sepse sipas tij, për atë i kanë votuar.

Pas certifikimit të rezultatit zyrtar të zgjedhjeve, presidentja Vjosa Osmani do të ketë kohë më së shumti 30 ditë për ta thirrur mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, që më pas të hapet rruga për formimin e Qeverisë. /rtk/

Share This