Kërkesa e Mbappe nëse pranon të rinovojë me PSG
PSG po rrezikon vazhdimësinë e saj në Champions League këtë të mërkurë kundër Borussia Dortmund-it dhe në Francë ende flitet nëse Kylian Mbappe do të vazhdojë te klubi parisien sezonin e ardhshëm apo do të bëjë hapin e shumëpërfolur drejt Real Madrid-it.
Sulmuesi përfundon kontratën në qershorin e ardhshëm pasi disa muaj më parë hoqi dorë nga opsioni i njëanshëm që kishte për të vazhduar kontratën edhe për një sezon. Të gjitha këto hapa nënkuptonin se ai do të largohej nga Parisi, ndoshta i destinuar për në kryeqytetin e Spanjës.
Megjithatë, siç ndodhi në rinovimin e fundit për dy sezone, këto ndjesi kanë ndryshuar.
Sipas “L’Equipe” këtë të martë, vazhdimësia e tij te PSG nuk do t’i nënshtrohet asaj që do të ndodhë këtë të mërkurë në ndeshjen e Champions League, pavarësisht nëse klubi i tij është ende në garë në kompeticion, por do të vendoset gjatë vitit 2024.
Gazeta franceze thekson se nëse do të ketë një rinovim nuk do të jetë vetëm për dy sezone, por për një periudhë shumë më të gjatë. /AP/