“Kërcënimet” e Vuçiqit, KFOR: Çelësi i sigurisë së qëndrueshme, shmangia e veprimeve që sjellin tensione
KFOR-i është duke i ndjekur nga afër zhvillimet aktuale në Kosovë.
Në një deklaratë për Klankosova.tv, nga ky mision kanë kërkuar që të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione.
“Është e rëndësishme të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione të panevojshme. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, ka thënë KFOR-i kur është pyetur në lidhje me paralajmërimet serbe për shpalljen e Kosovës si “territor të okupuar”.
KFOR-i tha se do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij të dhënë nga OKB-ja për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Para deklarimit të djeshëm të presidentit të Serbisë në lidhje me Kosovën, mediat e afërta me pushtetin atje paralajmëruan se Alleksandar Vuçiq do të shpallte Kosovën “territor të okupuar”.
Megjithatë, Vuçiqi nuk e bëri këtë. Madje ai tha se po ta shpallte të tillë, kjo, sipas tij, do të nënkuptonte “njohje të territorit të Kosovës”.