“Kemi qenë për shumë kohë me autopilotin amerikan”, Rama në Samitin për Ukrainën: Koha për të reflektuar

“Kemi qenë për shumë kohë me autopilotin amerikan”, Rama në Samitin për Ukrainën: Koha për të reflektuar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ngritur një çështje të rëndësishme gjatë diskutimeve për luftën në Ukrainë, duke theksuar se peizazhi diplomatik për këtë çështje ka ndryshuar ndjeshëm, pas bisedimeve që po zhvillohen midis Donald Trumpit dhe Rusisë.

Ai kërkoi që liderët perëndimorë të mos e injorojnë këtë realitet të ri.

“Kemi qenë prej shumë kohësh në autopilotin amerikan. Tani ky autopilot duket se është fikur, nuk e dimë se për sa kohë, kështu që është koha për një reflektim më të thellë”, tha Rama gjatë një ndërhyrje me videokonferencë në Samitin që po zhvillohet për Ukrainën në përvjetorin e tretë të luftës.

“Nuk jam i sigurt se duke folur vetëm për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta jam gabim”.

Rama u shpreh se, megjithëse qëndrimet për ndihmën ushtarake dhe integrimin e Ukrainës në BE dhe NATO vazhdojnë, është e rëndësishme të trajtohet fakti se tani SHBA dhe Rusia po zhvillojnë biseda të veçanta. Kryeministri shqiptar vuri në dukje se shumë liderë duket se po vazhdojnë si të mos kishte ndodhur asgjë, kur në fakt, situata është shumë më e ndërlikuar.

Ai theksoi se është e nevojshme një reflektim më i thellë mbi mënyrën se si mund të mbështetet Ukraina, si dhe mbi mënyrën se si Evropa mund të mbrojë veten në një situatë kaq të ndërlikuar./A2

Share This