KEK: Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike

KEK: Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike

Korporata Energjetike e Kosovës ka premtuar se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, pas raportimeve për mungesë të theksuar të prodhimit vendor.

“Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, këtë ta kemi të qartë,” deklaroi Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, në një konferencë për media.

“Ne sot kemi deklaruar kapacitetet e prodhimit të cilat i kemi planifikuar për nesër. Ka pasur pasiguri nga ekipi i termocentralit ‘Kosova A’ për ta deklaruar atë kapacitet. Kjo është keqkuptuar dhe janë dhënë deklarata të ndryshme, me të cilat ne nuk merremi, që KEK-u për herë të parë pas 25 vjetësh nuk prodhon asnjë megavat brenda ditës. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi angazhuar maksimalisht dhe kemi bërë korrigjim të kapaciteteve që njësia A3 do të prodhojë edhe nesër,” ka shtuar ai.

KESCO sot paralajmëroi se nga nesër e në ditët në vijim pritet të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë, duke u kërkuar qytetarëve të kursejnë në shfrytëzimin e energjisë elektrike.

Lajmin e ka mohuar KEK, duke thënë se operimi po vazhdon normalisht dhe se nuk ka kolaps në prodhim. Ata kanë theksuar se janë duke punuar në sanimin e defekteve të shfaqura në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Sipas KEK-ut, këto janë “të stërvjetruara dhe përballen me defekte teknike të paparashikueshme.” /rtk/

Share This