KEK konfirmon ndaljen e B2-shit për shkak të një rrjedhje, por hesht për prodhimin real

KEK konfirmon ndaljen e B2-shit për shkak të një rrjedhje, por hesht për prodhimin real

Pas raportimeve të Demokracia.com se aktualisht vetëm një bllok i Termocentralit Kosova A është në funksion, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka lëshuar një informacion për publikun, ku konfirmon ndaljen e njësisë B2- njërës nga njësitë kryesore të Termocentralit “Kosova B”.

Sipas KEK-ut, B2 është ndalur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm për shkak të rrjedhjeve të ujit, ndërsa rikthimi në prodhim pritet të ndodhë brenda 48 orëve. KEK bën të ditur se ka siguruar rreth 5,000 MWh nga importi për të kompensuar mungesën e prodhimit të kësaj njësie.

KEK ka njoftuar mbrëmë se njësia A3 e Termocentralit Kosova A është ndalur nga prodhimi, për shkak të një problemi serioz me humbje të ujit. Në një komunikatë për media, KEK ka bërë të ditur se ndalja ka ndodhur më 8 prill 2025 në orën 23:59, si masë parandaluese për të shmangur një defekt më të madh në sistem, shkruan Demokracia.

KEK nuk jep as informacion për prodhimin aktual të energjisë në vend. Demokracia.com ka raportuar më herët se vetëm blloku A4 është në funksion, duke prodhuar rreth 115 megavatë, ndërsa burimet e ripërtëritshme gjenerojnë rreth 68 megavatë – shifër kjo që mbetet shumë më e ulët se kërkesa ditore prej afro 900 megavatësh.

Share This