“Ke karakter të keq”, Xavi ‘sulmon’ gazetarin, konfirmon se vendimi mbi të ardhmen s’ka ndryshuar
Trajneri i Barcelonës Xavi Hernandez e ka kritikuar një gazetar spanjoll, derisa konfirmoi se pas këtij sezoni nuk do të qëndrojë më te klubi katalunas.
Barcelona të martën mbrëma siguroi kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, duke eliminuar Napolin me rezultat të përgjithshëm 3:2.
Pas ndeshjes, Xavi fillimisht u përplas me gazetarin e El Pais Ramon Besa, i cili e kishte quajtur Barcelonën në nëntor “Bufi i Evropës”.
“Jemi kritikuar shumë dhe padrejtësisht. Na është thënë se jemi shaka të ligës, të luajmë me këtë presion… nga gazetarët që e mbulojnë Barcelonën. Çfarë të bëjmë tani me bufonin e Evropës? Çfarë po bëjmë”.
E tërë kjo deklaratë ishte për Besa, i cili kishte shkruar më 7 nëntor: “Barcelona, që u mposht nga Shakhtari është bufi i Evropës”.
Gazetari në fakt kishte folur pastaj për “Marca”, duke sqaruar se Xavi i kishte thënë se ka karakter të keq.
“Kishim një dialog në Whatsapp. Ai më përcolli se jam keqdashës, se mund të shihet personazhi i shëmtuar”.
“I thashë të lexonte më mirë, sepse nuk e kisha fjalën për skuadrën e Xavit, por për Barcelonën, e cila kishte humbur 2-8 në çerekfinalen e Ligës në vitin 2020, ishte mposhtur nga Antwerp dhe Shakhtar. Pas kësaj mund të diskutojmë edhe për fjalën shaka, që mund të jetë edhe Hirushja, mund të jetë çdo gjë, por nuk mund të pranoj që të thonë për mua se shkruaj me qëllim të keq apo se kam karakter të keq”.
Ndër të tjera, Xavi shtoi se nuk qëndron te Barcelona edhe po ta fitojnë Ligën e Kampionëve.
“Vazhdoni të më pyesni nëse Liga e Kampionëve do ta ndryshonte vendimin tim. Jo, nuk do të qëndroj. E ardhmja ime nuk ndryshon. Përgjigja ime s’ndryshon. Do të largohem në verë. Do ta shijoj Ligën e Kampionëve, por vetëm si tifoz”. /nacionale