
“K’cimi i Tropojës” pjesë e trashëgimisë të UNESCO-s, koncert në TKOB
Koncerti festiv “Me Ritmet e Tropojës” u mirëprit nga publiku mbrëmjen e djeshme në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Koncerti kremton regjistrimin e K’cimit të Tropojës në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Trupa performoi ritmet e bukura të veriut, ndërsa nuk mungoi skenografia e duhur për të krijuar atmosferën e këtyre tingujve.
Koncerti është kujtesë e një ngjarjeje të shënuar për trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore shqiptare si pranimi i “K’cimit të Tropojës’ së pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
“K’cimi i Tropojës”, i njohur gjithashtu si “K’cim Veni”, është një vallëzim festiv që ka ruajtur vitalitetin e tij ndër shekuj. Ai përfshin elementë të artit performues, traditave gojore, ritualeve dhe ngjarjeve festive. Përgjatë viteve, kjo traditë ka mbetur një simbol i identitetit dhe bashkimit për banorët e Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës.
Vallëzimi interpretohet në raste të ndryshme ceremoniale dhe shoqërore, si dasma, fejesa dhe festa lokale. Lëvizjet e tij ritmike, të shoqëruara me tupan, çifteli dhe fyell, simbolizojnë energjinë dhe gëzimin që karakterizojnë këtë komunitet. Performancat shpesh përfshijnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë, duke ruajtur kështu autenticitetin e elementit.
“K’cimi i Tropojës” mbetet i gjallë përmes transmetimit brez pas brezi, si në kontekste spontane ashtu edhe përmes përfshirjes në kurrikulat arsimore lokale. Kjo siguron vazhdimësinë dhe zhvillimin e tij, duke e kthyer në një simbol kombëtar të identitetit kulturor shqiptar. /atsh/