`K`cimi i Tropojës” mbrohet nga UNESCO
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri, Blendi Gonxhja ka njoftuar për futjen zyrtare të vallëzimit të njohur festiv, “K’cimi i Tropojës”, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO.
“Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguai, ‘K’cimi i Tropojës’ është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit”, tha Gonxhja.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se me këtë vendim “rilindi një trashëgimi që po braktisej dhe harrohej”.
Dosja për “K’cimin e Tropojës” u dorëzua në UNESCO tre vjet më parë bashkë me ‘Transhumancën” dhe “Xhubletën”, të cilat gjithashtu janë marrë nën mbrojtje nga UNESCO.
“K’cimi i Tropojës” është shpallur më herët nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave në Shqipëri, si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Xhubleta shqiptare, veshja katër mijë vjeçare, është marrë nën mbrojtje Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dy vjet më parë. Ky vendim do të ndihmojë për ta ruajtur mjeshtërinë e krijimit të saj brez pas brezi.
Ndërsa, tradita e shtegtimit të bagëtive apo ‘Transhumanca’ u mor nën mbrojtje nga UNESCO një vit më parë.
Pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO janë edhe Butrinti, Berati, Gjirokastra si dhe iso-polifonia. /REL