Kastrioti mposht Besa Famegas pas vazhdimeve

Kastrioti mposht Besa Famegas pas vazhdimeve

Kastrioti e Besa Famgasi kanë ofruar tjetër ndeshje spektakolare.

Të enjten në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Kastrioti e Besa u përballën në gjysmëfinale të ‘Play-off-it’ të Superligës së Kosovës në hendboll.

Për ta vendosur fituesin nuk mjaftuan 60 minuta. U luajtën dy vazhdime nga pesë minuta, ndërsa fitorja në fund i takoi Kastriotit me rezultat 38:37.

Kështu ferizajasit kanë bërë hapin e madh drejt finales së ‘Play-off-it’. Për të kaluar në finale, njëra skuadër duhet t’i shënojë dy fitore. Ndeshja e dytë luhet në fundjavë në Pejë.

Besa Famgas ishte në epërsi prej fillimit të ndeshjes. Pas pjesës së parë rezultati ishte 21:18 për ekipin pejan. Edhe në pjesën e dytë lojtarët e Besës ishin vazhdimisht në epërsi, ndërsa Kastrioti vetëm barazonte.

Në minutën e 56-të epërsia e Besa Famgasit ishte katër gola, 33:29. Por Kastrioti me dy golat e Deniz Terziqit dhe nga një të Lulzim Shabanit e Beni Sulës, barazoi në 33:33. Me këtë rezultat përfundoi koha e rregullt prej 60 minutash, ndërsa minutat e fundit ishin shumë dramatikë.

Në vazhdimin e parë prej pesë minutash të dy skuadrat i shënuan nga dy gola për 35:35. Në vazhdimin e dytë, Besa shënoi fillimisht për 36:35. Kastrioti barazoi në 36:36. Dardan Dugolli më pas priti penallti për të mbajtur skuadrën vendase në lojë. Në anën tjetër të fushës shënoi Deniz Terziqi për 37:36. Edonis Hajra i Besës shënoi për 37:37, 50 sekonda para fundit. Kastrioti organizoi aksion dhe 20 sekonda para fundit, Besnik Bytyqi shënoi golin e parë personal në ndeshje për 38:37. Në aksionin e fundit mysafirët nuk shënuan dhe kështu festa ishte për lojtarët e Kastrioti dhe mbi 500 shikues që ishin në palestër.

Duhet cekur se të dielën e kaluar Kastrioti e Besa Famgasi u përballën në finale të Kupës së Kosovës. Në praninë e 3000 shikuesve, po në “Bill Clinton”, fitore shënoi Kastrioti.

Në ndeshjen e së enjtes, Kastriotin e udhëhoqi Deniz Terziqi me 13 gola. Nga pesë i shënuan Lulzim Shabani, Festim Mustafa e Yassine Henahen. Me pritje të shumta kontribuuan edhe portierët Ëadi Chebbi dhe Dardan Dugolli.

Te Besa Famgas nga tetë gola i shënuan Olsi Mulaj, Jon Vokshi e Balsha Çejoviq. Amar Muqolli e Elion Vokshi i shtuan nga katër, ndërsa pritje të shumta kishte Mursel Mehmeti.

Share This