
KANADA/Automjeti përplaset me turmën, të paktën nëntë të vdekur
Të paktën nëntë të vdekur janë raportuar pasi një makinë është përplasur me një turmë njerëzish gjatë një festivali në qytetin perëndimor kanadez, Vankuver, tha dje në mbrëmje Policia Kanadeze.
“Disa të tjerë u plagosën në incident, ndërsa personi që ngiste automjetin ndodhet në paraburgim”, tha policia në X.
Një transmetues raportoi – bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve okularë – se i dyshuari ishte përpjekur të largohej nga vendi i ngjarjes në këmbë pasi kishte kaluar me makinë përmes turmës, por ai ishte ndaluar nga kalimtarët.
Kryebashkiaku i Vankuverit, Ken Sim, tha se ishte i tronditur dhe i trishtuar nga incidenti i tmerrshëm.
“Ne do të punojmë për të ofruar më shumë informacion sa më shpejt të jetë e mundur, por në këtë kohë policia e Vankuverit ka konfirmuar se ka një numër viktimash dhe shumë të plagosur”, tha Sim, sipas “Global News”.
Festa organizohej në kuadër të festivalit Lapu Lapu, një festë vjetore për komunitetin filipinas.
“Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë prekur dhe me komunitetin filipinas të Vankuverit gjatë kësaj kohe tepër të vështirë”, tha Sim.
Incidenti ndodhi vetëm dy ditë përpara se Kanadaja të mbajë zgjedhjet parlamentare. /atsh/