
Kamala Harris sulmon Trump-in: Mbajti fjalimin e parë të rëndësishëm që nga humbja e zgjedhjeve
Ish-zv.presidentja e SHBA-së Kamala Harris, bëri thirrje të mërkurën që amerikanët të ngrihen së bashku kundër Presidentit republikan Donald Trump dhe asaj që ajo e quajti kriza më e madhe ekonomike e shkaktuar nga njeriu në historinë moderne presidenciale.
Harris i bëri këto komente në fjalimin e saj më të madh që nga largimi nga detyra, duke shënuar një lloj rikthimi politik për kandidaten presidenciale demokrate që kur humbi zgjedhjet ndaj Trumpit vitin e kaluar.
Duke folur për 100 ditët e para te presidentit te SHBA në detyrë, Harris tha se tarifat, që kanë qenë shenja dalluese të politikës ekonomike të tij po e çojnë qartë vendin drejt recesionit. Ndersa shtoi se po u sjellin dobi të pasurve duke e quajtur vizionin e tij të ngushtë dhe egoist. Harris tha se ato politika po ndëshkojnë ata që thonë të vërtetën dhe po favorizojnë besnikët.
“Ne të gjithë e dimë, Presidenti Trump, administrata e tij dhe aleatët e tyre mbështeten në idenë se frika mund të jetë ngjitëse. Ata mbështeten në idenë se nëse mund t’i bëjnë disa njerëz të frikësohen, kjo do të ketë një efekt frenues tek të tjerët. Por ajo që nuk e kanë marrë në konsideratë është se frika nuk është e vetmja gjë që është ngjitëse. Guximi është ngjitës dhe guximi i të gjithë këtyre amerikanëve më frymëzon”, u shpreh Kamala Harris, Ish-zv.presidentja e SHBA-ve.
Harris, e cila mendohet se po shqyrton mundësinë e kandidimit për guvernatore të shtetit të saj të lindjes, Kalifornisë në vitin 2026 ose një kandidim të mundshëm për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028, ka qëndruar kryesisht larg vëmendjes që kur u largua nga Uashingtoni në janar.
Të mërkurën ajo ishte e ftuar në një aktivitet të organizuar nga Emerge, një organizatë politike që rekruton dhe trajnon gra demokrate për të kandiduar për poste publike.